Rrjetet Sociale

Safete Rogova

Safete Rogova

Ajo Lindi ne Gjakovë me 1 mars 1946. Shkollimin e ulët mbaroi në vendlindje. Në Prishtinë mbaroi Fakultetin Filozofik – gjuhë e letërsi dhe pastaj edhe Shkollën e lartë të Dramës më 1968. Nga viti 1969 filloi punën si aktore në Teatrin Kombëtar.

Safete Rogova është njëra nga ato figura të shquara të jetës sonë kulturore e artistike, që imponon lakminë për një jetë kushtuar artit… Skenës… Familjes… Humanizmit… Një jetë kushtuar artit, interpretimit skenik, mirësisë, kënaqësisë që përjeton një rol i suksesshëm, një inskenim i suksesshëm nga e gjithë trupa teatrore. Ka luajtur mbi 100 role të cilat do të mbushnin fletët po të flitej për to.

Vitet nëntëdhjetë qenë vite të qëndresës, të gjetjes së formave për të mbijetuar, për të tejkaluar më të keqen… Duke mos dashur të rrëmbehet nga amullia e ujrave të ndotur politik serbosllavë që në fillim të viteve nëntëdhjetë, ajo bashkë me bashkë me shokun e jetës e të skenës Nuredin Loxhën si dhe me motrën Igballe Rogovën, formojnë shoqatën për arsimimin e gruas “Motrat Qiriazi”. Një mision i ri, një mundësi më shumë për shpirtin e një humanisteje.

Shoqata MQ i kishte vënë një detyrë vetes, në programin e saj, në statusin e organizimeve të tilla kudo në botë: të arrinte atje ku e donte çasti, për t’u ardhur në ndihmë nënave shqiptare, motrave shqiptare, atyre që për momentin po përjetonin harresën kolektive.

Vitet e rezistencës së madhe kolektive e kombëtare u pasuruan me një aktivitet largpamës të shoqatës MQ, e cila senzibilizoi të drejtën e gruas për të qenë e barabartë, për të pasur iniciativa krijuese drejt së ardhmes së saj, për të qenë më këmbëngulëse në organizimin e familjes, në afirmimin e vlerave të saj… Nisi pa u hetuar, por secilën ditë gjithnjë e më bindshëm, revista “Të jesh grua”, filmat dokumentarë për problemet për çështjen e gruas, protestat e ndryshme e botimet e shfaqjet e ndryshme tashmë kishin një jehonë të madhe…

Shoqata sa shkonte e zgjerohej më shumë… Sigurisht, të gjitha veprimtaret e shoqatës para dhe pas lufte u ndodhën pran atyre që kishin më së tepërmi nevojë për ndihmë e përkrahje, për kurajo e ngushëllim, duke fisnikëruar jetën e tyre me kruse, lexim librash, punë me fëmijët, dhurata shpresëdhënëse nga lodrat deri tek fletoret. Leximit të librit iu kushtua kujdes i veçantë duke hapur kështu dhjetra biblioteka në regjionin e Hasit e edhe ne Mitrovice, para dhe pas lufte.  Angazhimet e theksuara në Has, në Viti, në Mitrovicë, në Shipol sidomos në periudhën e zhvendosjeve masive kur lufta po merrte përmasat e një rezistence të përgjithshme popullore. Nuk mund të harrohet klima katastrofale e krijuar me gratë e zhvendosura pas masakrave, apo veprimtaria e vazhduar në rrethana morbide nëpër kampet e Bllacës e më pastaj në Maqedoni…

Guximi i motrave Rogova për të protestuar çdo postbllok të asaj kohe, që u pat bërë përditshmëri e tyre, bëri që ato të mos ndaleshin kurrë.

Paslufta ishte një kapitull tjetër. Shoqata gjeti përkrahje edhe nga shoqatat tjera simotra gjithandej botës për të ndihmuar ringjalljen e shpirtit të traumatizuar të gruas shqiptare.

Safetja nuk pushoi kurrë, në asnjë barrier gjatë jetës e punës saj. Arti nuk e la anash edhe pas angazhimeve të shumta në shoqatë. Me mesazhe të shumta shoqata bëri edhe shfaqje e dokumentarë të ndryshëm që të jenë sa më afër grave.

Disa nga shfaqjet kushtuar grave janë: “Rrëfimet tona”, “Ti njohim të drejtat tona”, “ Unë gruaja”, “ Fanitja e Teutës”, “Nëna lutet për ne”, “Harqet e urave”, “Thirrje Kosovës”, “Për ty motër”, “Kjo është shtëpia ime”, “Kongresi Manastirit/ 100 vjetori”, “Kurrë më (rrëfime të grave gjatë luftës)”.

Kjo është Safetja e teatrit dhe e filmit, Safetja nënë, Safetja aktiviste dhe humaniste, Safetja ëndërrimtare…